Byreku i mamit nuk krahasohet
me asnjë ushqim tjetër, sidomos kur të vjen surprizë në shtëpi. Mamaja ime
jeton në Fier dhe gati çdo fundjavë sjell gatimet e saj, sot me pretekstin për
nipërit :). Por mua më duket sikur gjithë “nepset” e babit tim, meqë prej
moshës ruhet të hajë ushqime kalorike gatuhen për të na ardhur ne surprizë :).
Nuk vlen të theksohet këtu se nuk ka si byreku i bërë në shtëpi me petë te
hapura vet. Unë nuk kam ditur të hap petë deri dy vite më parë. Më në fund
vendosa ti afrohem “pecit” “okllaisë” të porositur dhe ky në Fier nga mami dhe
të mësojë ;). Nuk mund të them që është e lehtë apo e vështirë, por vetëm ideja
se po përgatis një byrek 100% shtëpie më jep hov ta bëj shpesh. Ka raste kur
peta të shkrin në gojë, ka raste kur peta del e trashë dhe e fortë, ka raste që
edhe më janë grisur, por pas kaq kohësh dhe unë kam fituar një stil timin të
hollimit të petëve që hera herës i afrohet petëve që hap mami im, si byreku që
do ju prezantoj sot. Nga gjithë burrat e familjes bashkëshorti, vëllai im dhe
çunat kam marrë konfirmim që byrekun me kunguj e bëj thuajse si nëna Lika,
madje madje ka qëlluar që ndonjëherë dhe ja kam kaluar nëna Likës :). Dhe kur
ndodh që unë t’ja kaloj nëna Likës në një gatim specifik, këtë lajm do e marrin
vesh gjithë gratë e familjes, tezet, kunata, kushurira të para që për mua janë
motrat e mija. Nuk mund ta lë këtë rast të më iki :))). Shijoni byrekun e mamit
më poshtë.
Përbërësit
1 kg kunguj të vegjël për skuqje
4 vëzë
1 gotë qumësht
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle miell
Kripë, vaj
400 gr miell për brumin e petëve
Përgatitja
Zëm brumin e byrekut dhe e lëm dhe këtë 30 minuta të vijë. Lajm
kungujt, i pastrojmë nga maja dhe i grijmë në rende. I hedhim kripë dhe i lëm
10 minuta në qetësi. Kripa bën që kungulli të nxjerr gjithë ujin e tepërt. E
shtrydhim të gjithë kungullin pjesë pjesë dhe e kalojmë në një tas tjetër.
Rrahim vezët, shtojmë dy luge miell dhe gotën e qumështit. Përziejmë këtë
masë me kungujt e shtrydhur.
Fillojmë hapjen e petëve siç ja u kam shpjeguar tek byreku me qumësht.
Krijojmë dy zemra për byrekun. Kur hedhim zemrën e dytë shtojmë dy lugë gjalp të
shkrirë (po ta hedhim gjalpin mbi petë e
forcon atë gjatë pjekjes). Shtojmë petën e fundit mbi byrek dhe me një furçë
lyejm me vaj.
Pjekim në fund të furrës, në 220 gradë, derisa byreku të marrë ngjyrë
të artë.
E nxjerrim byrekun kur të jetë pjekur dhe ky është moment që siç thotë
nëna Lika, duhet ta kthejmë byrekun përmbys në një tavë tjetër të së njëjtës
masë.
Në këtë mënyra peta e sipërme që forcohet pak gjatë pjekjes zbutet dhe
byreku merr një pamje të rregullt prej petëve të poshtme. E lëm për 10
minuta mbuluar me tepsi, pastaj e servirim. Ju bëftë mirë.