Këtë dimër që sapo kaluam regjimin e
gatimit të groshës (fasules) në shtëpi e vura kusht ta bëja çdo javë. Familja
jonë nuk ka qënë dhe nuk vazhdon të jetë ajo tipikja që çdo të hënë e ka grosh,
jo se nuk i duam, por përtojmë t’i bëjmë të dielën në darkë 😀, nga që gatuajme shumë
të dielën në drekë. Të hënën e kemi pothuajse me ç‘mbetet nga e djela, po mbeti 😛.
U zgjatëm pak shumë tek grosha dhe po
harrojmë pllaqitë,
të cilat janë motrat e mëdha të groshës dhe që këtë vit i kam gatuar vërtet
shumë shpesh. Fëmijët mi hanë shumë dhe përfitoj nga rasti t’ja u gatuaj pllaqitë
më shpesh dhe se groshët meqë perimet që i shtoj brenda janë të shumëllojshme.
Gatimin e pllaqive nuk e kam lexuar diku
dhe as nuk kam pyetur dikë. As sesi i gatuan mami Lika nuk e di hahaha. Më vjen
kështu “alla pelle” kur i thonë italianët, e bëj siç ma ka ënda dhe del një
gatim i veçantë që i ndihet dedikimi dhe dashuria e gatimit.
Dje tek e gatuaja për ju sot, Rudina ime
qëlloi në shtëpinë time dhe më tha të vjen shtëpia si aromë fshati anglez. Meqë
ra fjala të dyja kemi qënë ca kohë andej kështu që e kuptova shumë mirë. Mua ndërkohë
mu duk vetja si Jamie dhe Nigella 😍.
Ndiqni recetën më poshtë, "Pllaqi me aromë britanike" 🤗.
Përbërësit
– Perime
500 gr pllaqi
3 speca
3 degë selino
3 karrota
2 trupa preshi
1 kokër qepë e thatë
3 qepë të njoma me gjithë bishtat
3 hudhra të njoma me gjithë bishtat
3 thelpinj hudhër të shtypur
Përbërësit
– Erëza
1 lugë çaji spec i kuq
Piper i zi
Rigon
Dafinë
Përbërës
të tjerë
100 gr pançetë
Salcë worçester (opsionale)
Tabasco e detyrueshme 🙃
Përgatitja:
Fillojmë me pastrimin e perimeve. Ndërkohë
që marrim kohë për të grirë perimet në një tigan shtojmë pançetën. Në vend të
pançetës mund të përdorim çfarëdolloj sallami të preferuar. Pasi pançeta lëshon
yndyrën e saj shtojmë të gjitha perimet e grira, 2 lugë vaj ulliri dhe i lëmë
te kaurdisen në zjarr të avashtë me kapak.
Pllaqitë duhet ti keni zjerë më parë. Do
ishte mirë sikur t’i fusni në ujë një natë më parë se ti gatuani. Mua nuk më
ndodh ta bëj shpesh këtë proçes se harroj, ndaj i vë direkt për zierje në
tenxheren e presionit.
Marrim pak nga uji i pllaqve, ja shtojmë
perimeve dhe i lëmë të zbuten në tigan me kapak. Pas 15-20 minutash që ziejnë u
hedhim erëzat siç i kam listuar, por mund të shtoni dhe erëza të tjera nëse
doni.
Rregullojmë me kripë, hedhim salcën ëorçester
(nëse nuk e keni në shtëpi, mjaft të shtoni
një lugë açeto balsamike) dhe tabasco e cila është një salcë djegëse. Nëse
nuk keni tabasco zëvendësojeni me pak spec djegës.
Shtojmë harxhën në tenxheren ku janë
pllaqitë, i trazojmë. Gjella nuk duhet të ketë shumë lëng se në furrë do rri jo
më shumë se 30-40 minuta sa të marrë një faqe.
E hedhim masën me pllaqi ose në një tavë
të madhe ose në tasa të vegjël balte për pjekje. Unë e servira këtu. Bëra dhe
një tavë të vogël porcion individual, por atë ma mori Rudina me vete 😜.
Vendoseni tavën në furrë të nxehur më parë
në 200 grade dhë lëreni për 30-40 minuta sa tavë të zërë një cipë sipër.
Lëreni
të ftohet pak përpara se ta servirni. Ju bëftë mirë.