
Miell
BonBon / Kek / Torta / Ëmbëlsira


Përbërësit
Përbërësit më të mirë. Shija më e pastër.

Miell

Vaj luledielli

Qumësht

Mascarpone

Nutella

Çokollatë

Pana
Kjo recetë pret që në datën 5 tetor 2020, (datën e lindjes së Henrit) ditën e postimit 😊. Dhe do ishte shumë më e kollajtë për mua ta kisha shkruar që atë ditë sesa të prisja kaq muaj dhe të rrija një javë të zbardhja bisedat dhe audiot e dërguara me Elvën e Sofia Sweets 8 muaj me parë, e cila e gdhiu me mua dy ditë për ta përfunduar tortën së bashku.
Dhe si përfundim unë nuk arrita ta merrja vesh shijen tamam sepse më kapi Covid dhe isha 1 muaj pa shije dhe pa nuhatje. Amaaa kush e provoi, Elva e para tha që ishte një mrekulli. Të tjerët që e shijuan thanë si tortat me çokollatë të Pastelitos 😊.
Veçse madhësia e kekut tim blihet me çmim shumë të kripur atje 😊. Kjo tortë jo se shkoi lirë, do i rendis çmimet, por tortat e ditëlindjes të bëra në shtëpi janë si mini projekte që të gëzojnë kur i realizon me sukses. Kosto për këtë tortë pa renditur aksesorët si qese për kremin apo kartonin e tortës të cilat mi siguroi Elva shkoi:
Kosto e përbërësve të tortës:
1 kg miell i gatshëm për torta dhe 500 gr butona çokollatë – 900 Lek
500 gr Mascarpone - 500 Lek
Nutellla – 700 Lek
Pana e ëmbël – 300 Lek
Pralina për zbukurim - 300 Lek
Frutat e pyllit – 700 Lek
Total – 3400 Lek
Po vijoj direkt me recetën se boll pritët ju dhe unë bashkë hahaha
Përbërësit për Kekun e Tortës:
500 gr miell i gatshëm për torta
150 gr vaj luledielli
200 ml qumesht ose ujë
Shënim: Përgatiten dy kekë të tillë. Masat më lart janë për vetëm një kek. Dmth do e përgatisni masën më lart dy herë pra në total do ju duhet 1kg miell, 300 gr vaj, 400 ml qumësht ose ujë.
Përbërësit për kremin mbushës me mascarpone dhe nutella:
400 gr mascarpone
200 gr Nutella
Përbërësit për ganash:
500 gr çokollatë e zezë
250 gr pana e ëmbël
Përgatitja:
Për të përgatitur këtë tortë duhet ta filloni punën një ditë më parë, të paktën me pjekjen e kekëve të totës. Unë do ju sugjeroja miell për kek të gatshëm që e nxjerrin kekun shumë të shkrifët dhe të butë. Unë e bleva me sugjerimin e Elvës tek një kompani që shet produktet pastiçërie, BBI (emri i dyqanit).
Përgatisni brumin sipas përmasave më lart. Vendoseni masën në një tavë që nuk ngjit me diametër 20 cm. Unë përdora një unazë keku e cila gjendet lehtësisht kudo. Unazën e mbështolla me letër alumini në fund duke ja puthitur mirë anët dhe e mbështeta në një tave më të madhe. Hedhim masën e kekut në unazë, e pjekim në furrë të parangrohur në 180 gradë dhe nuk e hapim furrën asnjë moment. Për 45 minuta keku është i pjekur. E nxjerrim kekun e lëmë të ftohet tërësisht në temperaturë ambjenti dhe më pas e mbledhim me membranë derisa të fillojmë ndërtimin e tortës.



Kremin me mascarpone dhe nutela e përgatisim thjesht një orë para ndërtimit të tortës. Rrahim mascarponen me nutela. E lëmë në qetësi rreth një orë. Nëse është vap kremin me mascarpone pasi ta përgatisni e fusni në frigorifer tek pjesa e freskisë. Më pas për lezet po të dëshironi shtoni butona çokollate. Ky krem do mbushë hapësirën më të madhe të tortës dhe çopat e çokollatës që do shtoni do jenë një surprizë kur njerëzit tuaj të dashur të shijojnë tortën.
Duket sikur gjithçka është gati le të fillojmë ndërtimin e tortës fillimisht duke ngritur vendin e punës. Mbi kartonin ku do servirim tortën vendosim unazën ku poqëm kekun, rrethojme si në foto me letër gatimi dhe jemi gati për shtrim. Presim kekët në 2 shtresa duke krijuar kështu 4 disqe që do jenë dhe katet e tortës. Mbushim si kaushe dy qesë një më kremin me mascarpone dhe tjetrin me ganazh dhe fillojmë punën.
Vendosim pak krem në fund mbi kartonin e tortës para se të vendosim diskun e parë të kekut. Njomim me delikatesë me pak qumësht (kështu preferova unë), por ju mund të bëni pak shërbet. Unë evitova këtë të fundit 😊.
Me kaushin ku keni kremin ganash filloni e mbushni anët e tortës. Më pas mesin mbusheni me kremin me maskarpone. Vijoni kështu me shtresat e kekut derisa të vendosni diskun e fundit të cilin do e patinoni pak me ganazh dhe do e fusni kështu siç është në frigorifer që keku dhe kremi të bëhet më solid. Pas disa orësh të paktën 2-3 orë, nxirreni tortën e cila ështe bërë e qëndrushme dhe suvatojeni me kremin ganash të mbetur me anën e një spatule. Kremin ganash ndërkohë që torta ka ndejtur në frigorifer e mbuloni përsëri me membranë me kontakt derisa ta përdorni për suvatim 😊.
Filloni e shkrini talentin 😊. Torta është gati, tani mbetet vetëm ta zbukuroni sipas dëshirës. Unë zgjodha çokollatë pralinë dhe fruta pylli.
Kush do vendosë ta bëj këtë tortë gëzimi ju uroj Gëzofshi Gjithmonë kështu në Shtëpitë tuaja. 💓💓💓
Ende nuk ka komente. Bëhu i pari që ndan mendimin tënd!
Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *